Secondary Adv

Investimet shqiptare jashtë vendit pësuan rënie në tremujorin e parë të vitit

Kompanitë shqiptare investuan 55 milionë euro jashtë vendit në tremujorin e parë të vitit 2026.

Investimet shqiptare jashtë vendit pësuan rënie në tremujorin e parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e investimeve të kompanive shqiptare në tregjet e huaja zbriti në 55 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 19 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pjesa më e madhe e këtyre investimeve përbëhej nga kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit, të cilat përfaqësonin afërsisht gjysmën e fluksit të ri të investimeve shqiptare, ndërsa pjesa tjetër lidhej kryesisht me fitimet e riinvestuara të kompanive të zotëruara në tregjet e huaja.

 

Bilanci mbetet negativ për investimet direkte

Pavarësisht rënies së investimeve shqiptare jashtë vendit në fillim të vitit, bilanci neto i investimeve të huaja direkte për tremujorin e parë të vitit 2026 rezultoi negativ me 348 milionë euro, duke u rritur me 19 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky bilanc negativ tregon se investimet e huaja direkte që hyjnë në Shqipëri vijojnë të jenë ndjeshëm më të larta se investimet që kompanitë shqiptare realizojnë jashtë vendit.

 

Në vitet e fundit, investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë arritur nivele rekord, ndërsa paralelisht është vërejtur edhe një rritje e investimeve shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2025 investimet e kompanive shqiptare jashtë vendit arritën në 241 milionë euro, me një rritje prej 25 për qind krahasuar me vitin pararendës. Edhe gjatë vitit 2025 tremujori i parë kishte shfaqur një rënie të lehtë, por në muajt pasues investimet rifituan ritmet e rritjes.

 

Zgjerim drejt Europës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut

Disa nga grupet më të mëdha të biznesit shqiptar po realizojnë investime të konsiderueshme në tregje të huaja. Nëse deri pak vite më parë investimet përqendroheshin kryesisht në vendet fqinje, tashmë kompani shqiptare po investojnë shuma të rëndësishme edhe në tregjet e Europës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut. Këto investime janë orientuar kryesisht drejt sektorit të pasurive të paluajtshme, duke ndjekur modelin e biznesit që shumë prej këtyre grupeve kanë konsoliduar në Shqipëri.

 

Të dhënat statistikore për investimet e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit nuk ofrojnë detaje për shpërndarjen gjeografike apo sektoriale të tyre, ndaj ende nuk ekziston një pasqyrë e plotë mbi vendet dhe sektorët ku po përqendrohet rritja e investimeve shqiptare. Megjithatë, krahas investimeve në tregje më të largëta, disa prej grupeve më të rëndësishme shqiptare të biznesit vijojnë të kenë një prani të fortë në tregjet fqinje, veçanërisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Kosova mbetet një nga destinacionet kryesore

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në fund të vitit 2025 investimet shqiptare në Kosovë kishin arritur vlerën e 586 milionë eurove. Në aspektin sektorial, këto investime dominohen nga aktivitetet e pasurive të paluajtshme, që përbëjnë afërsisht një të katërtën e vlerës totale. Peshë më të ulët në strukturën e investimeve kanë ndërtimi, shërbimet financiare, prodhimi dhe tregtia.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat